Nevojat janë të larta, veçanërisht për fëmijët talasemikë
Dhurimi vullnetar i gjakut në vendin tonë, vijon të mbetet në shifra të ulëta. Sipas Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në 3 muajt e parë të 2022 janë rreth 6 mijë dhurime e dominojnë ato familjare.
“Ne bazohemi te dhurimet familjare e vullnetare. Dhurimet familjare janë më tepër sepse sipas skedës kirurgjikale që ekziston për spitalin nuk hyn asnjë pacient në operacion pa dhuruar gjak një pjesëtar i familjes. Këtë vit janë rreth 1070 dhurime vullnetare dhe 4500 familjare “.
Nevojat për gjak janë të larta sipas transfuziologes Mirela Spahiu, veçanërisht për fëmijët talasemikë në të gjithë vendin.
“Fëmijët talasemikë janë rreth 600 dhe kanë shumë nevojë për gjak. Mesatarishtmarrin 2 qese çdo 10 ditë. Familajrët e tyre nuk dhurojnë dot. Gjaku që marrim nga vullnetarët shkon për fëmijët talasemikë”.
Specialistët bëjnë apel për dhurime vullnetare të gjakut. Sipas Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, në 2021 ishin 35,000 dhurime në total, 5,000 më shumë se 2020-ta.