VENDIM
Nr. 505, datë 6.7.2016
PËR MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË QENDRËS KOMBËTARE TË TRANSFUZIONIT TË GJAKUT DHE NIVELET E SHËRBIMIT TË TRANSFUZIONIT NË INSTITUCIONET SHËNDETËSORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, pika 1 e 15, pika 1, të ligjit nr. 9739, datë 21.5.2007, “Për shërbimin e transfuzionit të gjakut në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave.
VENDOSI:
1. Nivelet e shërbimit të strukturave të transfuzionit të gjakut kategorizohen, si më poshtë vijon:
a) Niveli I: Komiteti Kombëtar i Transfuzionit të Gjakut (KKGJ);
b) Niveli II: Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit të Gjakut.
2. Komiteti Kombëtar i Transfuzionit të Gjakut është organ këshillimor, i cili funksionon në bazë të rregullores së miratuar nga ministri i Shëndetësisë.
3. Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit të Gjakut përbëhet nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut dhe strukturat e shërbimit të transfuzionit
në institucionet shëndetësore publike të shërbimit spitalor.
4. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut është person juridik publik në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, e specializuar për kryerjen e shërbimeve të transfuzionit të gjakut në Republikën e Shqipërisë. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të
Gjakut kryen këto shërbime:
a) Shërbime prodhuese, në të cilat përfshihen promovimi i dhurimit vullnetar falas të gjakut, seleksionimi dhe kontrolli periodik i dhuruesit të gjakut, mbledhja e gjakut, përpunimi dhe testimi i tij, ruajtja, transporti i gjakut/produkteve të tij, kontrolli i cilësisë të gjakut, si dhe i produkteve të tij;
b) Shërbime ndaj spitalit, në të cilat përfshihen shpërndarja e gjakut dhe e produkteve të tij pacientëve në nevojë dhe testet imunohematologjike.
5. Strukturat e shërbimit të transfuzionit në institucionet shëndetësore publike të shërbimit spitalor janë, si më poshtë vijon:
a) Bankat rajonale të gjakut në të cilat kryhen:
i) shërbime prodhuese, ku përfshihen promovimi i dhurimit vullnetar falas të gjakut, seleksionimi dhe kontrolli periodik i dhuruesit të gjakut, mbledhja e gjakut, përpunimi, ruajtja, transporti i gjakut/produkteve të tij;
ii) shërbime ndaj spitalit, ku përfshihen shpërndarja e gjakut dhe produkteve të tij pacientëve në nevojë dhe testet imunohematologjike.
b) Bankat mbledhëse dhe shpërndarëse të gjakut në të cilat kryhen:
i) shërbime prodhuese, ku përfshihen promovimi i dhurimit vullnetar falas të gjakut, seleksionimi dhe kontrolli periodik i dhuruesit të gjakut, mbledhja e gjakut, ruajtja, transporti i gjakut/produkteve të tij;
ii) shërbime ndaj spitalit, ku përfshihen shpërndarja e gjakut dhe produkteve të tij pacienteve në nevojë dhe testet imunohematologjike.
c) Bankat shpërndarëse të gjakut, në të cilat kryhen vetëm shërbime ndaj spitalit, ku përfshihen shpërndarja e gjakut dhe e produkteve të tij pacientëve në nevojë dhe testimet imunohematologjike.
6. Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit të Gjakut ofron produktet e mëposhtme:
a) Produktet eritrocitare:
i) Gjak i plotë;
ii) Qeliza të kuqe;
iii) Qeliza të kuqe në SAGM (salinë, adeninë, glukozë, manitol);
iv) Qeliza të kuqe pa buffy-coat pa solucion shtesë;
v) Qeliza të kuqe pa buffy-coat me solucion shtesë;
vi) Qeliza të kuqe të leukodepletuar;
vii) Qeliza të kuqe të shpëlara.
b) Produktet plazmatike:
i) Plazmë e freskët e ngrirë;
ii) Plazmë e varfër në krioprecipitat;
iii) Krioprecipitat.
c) Produktet trombocitare:
i) Trombocite të prodhuara nga plazma e pasur në trombocite;
ii) Trombocite të prodhuara nga buffy-coat.
7. Produktet e gjakut të prodhuara nga Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit të Gjakut duhet të plotësojnë standardet e paraqitura në aneksin I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
8. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut kryen detyrat e ngarkuara nga ligji, si dhe kryen funksionet e bashkërendimit të punës e të kontrollit tekniko-administrativ, në bashkëpunim me Komitetin Kombëtar të Transfuzionit të Gjakut.
9. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut ka edhe këto përgjegjësi:
a) Siguron mbështetje për zbatimin e programin kombëtar të veprimeve të shërbimit të transfuzionit;
b) Në bashkëpunim me Komitetin Kombëtar të Transfuzionit të Gjakut është përgjegjëse për hartimin dhe shpërndarjen e akteve nënligjore e të udhëzuesve përkatës për Shërbimin Kombëtar të Transfuzionit të Gjakut, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë;
c) Përllogarit koston e shërbimeve e të produkteve të ofruara nga Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit të Gjakut;
ç) Siguron zbatimin sistematik të programit për kontrollin e cilësisë e atë mikrobiologjik të procedurave të mbledhjes e të përpunimit të gjakut, kontrollin dhe vlerësimin e metodave diagnostike e të procedurave të zbatuara në shërbimin e transfuzionit;
d) Raporton për aktivitetin e saj në Drejtorinë e Administrimit Spitalor, pranë Ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë periodike dhe vjetore brenda 10-ditëshit të parë të muajit pasardhës, sipas rregullores përkatëse, të miratuar me urdhër të ministrit të Shëndetësisë.
10. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut rregullohen nga dispozitat e ligjit nr. 7961, datë
12.7.1995, “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
11. Mënyra dhe procedurat për punësimin, lëvizjet dhe transferimin e stafit të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut miratohen nga ministri i Shëndetësisë.
12. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut drejtohet nga drejtori, i cili emërohet dhe lirohet nga ministri i Shëndetësisë.
13. Drejtori i Qendrës Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut ka këto përgjegjësi kryesore:
a) Drejton dhe bashkërendon detyrat e punonjësve me qëllim përmbushjen me sukses të rolit të Qendrës;
b) Përgatit programin e vetëmjaftueshmërisë kombëtare dhe e paraqet atë për miratim në Ministrinë e Shëndetësisë, në Drejtorinë e Administrimit Spitalor, në fillim të çdo viti kalendarik, mbështetur në nenin 18, të ligjit nr. 9739, datë 21.5.2007, “Për shërbimin e transfuzionit të gjakut në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
c) Drejton punën për hartimin e projektbuxhetit ekonomik dhe financiar, miraton buxhetin e zbërthyer për çdo shërbim dhe repart, miraton programin e buxhetit në të gjithë zërat e tij;
ç) Administron fondet buxhetore dhe fondet e tjera të krijuara sipas legjislacionit në fuqi për funksionimin normal të Qendrës;
d) Bashkëpunon ngushtë me institucionet e ndryshme dhe organizatat që operojnë në fushën e transfuzionit të gjakut brenda dhe jashtë vendit;
dh) Përfaqëson Qendrën në marrëdhënie me të tretët;
e) I propozon Komitetit Kombëtar të Transfuzionit të Gjakut, për miratim nga ministri i Shëndetësisë, të rregullores së brendshme të funksionimit të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut;
ë) Siguron që çdo njësi gjak apo komponent është mbledhur, testuar, përpunuar, ruajtur dhe shpërndarë sipas të gjitha ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi;
f) Siguron informacionin e duhur për ngritjen, akreditimin ose licencimin e çdo strukture transfuzionale;
g) I propozon ministrit të Shëndetësisë emërimin dhe lirimin nga detyra të zëvendëszëvendësdrejtorit teknik e ekonomik;
gj) Siguron bazën pedagogjike për specializimin e mjekëve në specialitetin “Mjekësi transfuzive” dhe bashkëpunimin me Fakultetin e Mjekësisë për trajnimin e vazhdueshëm të specialistëve që punojnë në strukturat e shërbimit të transfuzionit në vend.
14. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut kryen shërbime të transfuzionit sipas tarifave të miratuara me udhëzim të përbashkët të ministrit të Shëndetësisë dhe të ministrit të Financave.
15. Të ardhurat e mbledhura nga tarifat për shërbimin e transfuzionit derdhen në buxhetin e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe përdoren me miratim të ministrit të Shëndetësisë. 16. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
Niko Peleshi