Historiku I dhurimit dhe testimit të gjakut në vendin tonë
Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ) u themelua në vitin 1951. Themelimi I QKTGJ u pasua nga ndërtimi I një rrjeti bankash gjaku spitalore (gjithsej 26) me qëllim krijimin e kushteve për dhurim gjaku dhe shërbime pacienti pranë cdo spitali. Në vitet ’90 u shtuan edhe pesë banka të tjera gjaku në Tiranë (pranë cdo spitali publik) duke e cuar në 31 numrin total të bankave te gjakut në vend. Të gjitha bankat e gjakut në nivel kombëtar kontrollohen teknikisht dhe inspektohen rregullisht nga QKTGJ.
Dhurimi I gjakut në vendin tonë ka filluar si një praktikë e paguar dhe vazhdoi si e tillë për më shumë se 50 vite. Ekzistenca e një tradite të dhurimit me pagesë të gjakut e vështirësoi shumë kalimin në dhurimin vullnetar të gjakut dhe crrënjosja e kësaj tradite mbetet një sfidë akoma edhe sot për shërbimin transfuzional në vendin tonë.
Përpjekjet e para për dhurim vullnetar të gjakut datojnë në vitin 1952 menjëherë pas themelimit të QKTGJ, nëpërmjet vendosjes së një bashkëpunimi me Kryqin e Kuq. Ky bashkëpunim nuk zgjati shumë sepse një Vendim I Këshillit të Ministrave në vitin 1952 përcaktoi “Disa kushte të favorshme për dhuruesit e gjakut”, kushte të cilat konsistonin në vakte falas dhe kompensim “cash” për dhurimin e gjakut në vlerën e një rroge mujore të një punëtori të asaj kohe. Ky vendim shënon edhe fillimin e dhurimit me pagesë të gjakut, praktikë e cila mbeti predominuese në vendin tonë deri në fillimet e viteve 2000. Kjo praktikë dhurimi tërhoqi shumë dhurues pasi ofronte një pagesë të rëndësishme për kohën, duke cuar në mjaftueshmëri në gjak dhe komponentë, dhe mbeti e vetmja mënyrë dhurimi deri në fillimet e viteve ‘90 kur QKTGJ njohu zyrtarisht dhurimet e papaguara si rrugën kryesore për arritjen e mjaftueshmërisë në gjak. Në kuadër të kësaj, në vitin 1994 filloi një bashkëpunim I ri midis QKTGJ dhe Kryqit të Kuq Shqiptar për promocionin e dhurimit vullnetar të gjakut, bashkëpunim I cili nuk u mbështet në një strategji të mirëpërcaktuar ndaj dhe nuk arriti në atë kohë rezultatet e pritshme. Përvec kësaj, kriza ekonomike e politike e vitit 1997 e pasuar nga kriza në Kosovë ndryshoi tërësisht fokusin dhe vëmendjen e Kryqit të Kuq Shqiptar duke ndikuar negativisht në bashkëpunimin e sapofilluar me QKTGJ për rekrutimin e dhuruesve vullnetarë në vend. Dështimet në rekrutimin e dhuruesve vullnetarë në vitet ’90 duhen parë në kompleks me zhvillimin në tërësi të shoqërisë shqiptare. Shoqëria shqiptare në atë kohë përballej me probleme të mprehta politike, sociale dhe ekonomike, dhe kur një shoqëri përballet me probleme të tilla ekzistenciale e ka të vështirë të pranojë dhe aq më shumë të përshtasë parimet e altruizmit dhe solidaritetit të mishëruara në dhurimin vullnetar e falas të gjakut. Në këto kushte, dhurimet vullnetare falas mbetën në shifra shumë të ulëta dhe dhurimet me pagesë vazhduan të tërheqin gjithnjë e më shumë dhurues nga shtresa të ulëta social-ekonomike duke influencuar në këtë formë drejpërsëdrejti në sigurinë e gjakut.
Në vitin 2005 niveli I dhurimeve të gjakut ishte mjaft I ulët, 4 dhurime/1000 banore dhe testimi I decentralizuar me teste të shpejta në cdo bankë gjaku prodhonte rezultate të diskutueshme dhe të pagjurmueshme. Në këto kushte nevoja për dhurues vullnetarë të gjakut dhe për mjaftueshmëri ishte bërë një emergjencë. QKTGJ me mbështetjen teknike të OBSH ndërtoi për herë të parë një Strategji Kombëtare për Transfuzion Gjaku të Sigurtë. Kjo Strategji hodhi bazat për standardizimin e dy boshteve kryesore të sigurisë së gjakut:
- Dhurues cilësorë përmes promocionit të dhurimit vullnetar e falas të gjakut në bashkëpunim me organizatat partnere në dhurimin e gjakut si Kryqi I Kuq Shqiptar dhe Organizata e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut e themeluar në vitin 2005.
- Testim cilësor përmes centralizimit të testimit për agjentë infektivë në një qendër të vetme testuese në Tiranë, me qëllim automatizimin maksimal dhe shmangien e gabimit njerëzor.
Komponentët kryesorë të kësaj Strategjie u sanksionuan më pas edhe në Ligjin 9739 datë 21.05.2007 “Mbi shërbimin e transfuzionit të gjakut në Republikën e Shqipërisë” dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij, të gjitha të ndërtuara bazuar në Direktivat Europiane në fushën e transfuzionit të gjakut .
Implementimi I kësaj Strategjie shënoi suksese të vazhdueshme në aktivitetin e QKTGJ pas vitit 2005, suksese që u pasqyruan në rritjen domethënëse të dhurimeve vullnetare, në uljen po aq domethënëse të dhurimeve të paguara dhe në centralizimin e testimit për agjentë infektivë në një qendër të vetme në QKTGJ, me një metodë tërësisht automatike për gjithë gjakun e mbledhur në nivel kombëtar.
Të gjitha këto arritje të QKTGJ u njohën edhe nga OBSH e cila në vitin 2011 e quajti sigurinë e gjakut në vendin tonë një “histori suksesi”.
Pas vitit 2012 dhurimi vullnetar I gjakut mbeti në një “plateau” me një rënie domethënëse në vitin 2020 të ndikuar nga situata epidemiologjike e lidhur me COVID-19. Në mjedisin e ri social ekonomik të shoqërisë sonë nevojitet domosdoshmërisht një strategji e re, e përshtatur me qëllim arritjen e mjaftueshmërisë në gjak përmes 100 % dhurim vullnetar.
Të dhënat e dhurimit të gjakut në vend në vite janë paraqitur të gjitha në Tabelën 1, si edhe në Figurat 1,2,3