Dita Botërore e Dhurimit Vullnetar të Gjakut
Në Ditën Botërore të Dhurimit Vullnetar të Gjakut dhe në kuadër të nismës “Aleanca për dhurimin e gjakut”, anëtarë të Kabinetit dhe zyrtarë të administratës së Institucionit të Presidentit të Republikës, si dhe dhjetëra qytetarë, u solidarizuan sot me kauzën humane dhe dhuruan gjak në ndihmë të fëmijëve me talasemi dhe pacientëve të tjerë, që kanë nevojë jetike për të.
Me këtë rast, Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta, me anë të një ceremonie solemne, vlerësoi me Titullin ” Për Merita të Veçanta Civile” pesë dhurues të rregullt të gjakut, në shenjë mirënjohje për kontributin e tyre të çmuar, si dhe në vlerësim të dedikimit, dhembshurisë dhe humanizmit të treguar për të ndryshuar e shpëtuar jetë njerëzish.
Gjatë dekorimit të zonjave Luljeta Hidi dhe Albana Pergjini, zotërinjve Aleksandër Markaj, Eglent Bici dhe Artur Bakiu, Presidenti Z. Ilir Meta, vuri në dukje modelin që ata iu kanë ofruar të rinjve tanë, duke u shndërruar në një shembull frymëzimi për qytetarët shqiptarë.